Intervistë e Shpresa Xhaklit me rastin e 2 Prillit

Kosova Sot

Intervistë e Shpresa Xhaklit me rastin e 2 Prillit

Humanistja Shpresa Xhakli kërkon vëmendjen e shtetit dhe të bamirësve

Aktivitet më 2 prill për fëmijët me autizëm

Njëra nga organizatoret e mbrëmjes, që organizohet më 2 prill, Shpresa Xhakli, e cila njihet në Kosovë për ndihmën që gjithmonë ua jep fëmijëve me autizëm, thotë në një bisedë për gazetën “Kosova Sot”, se këtë punë e bën me shumë dashuri dhe shton se sa të jetë gjallë do të përkushtohet maksimalisht për familjet që kanë kushte të rënda, në mënyrë që t’ua lehtësojë shkollimin e fëmijëve të tyre

Ditën e mërkurë, më 2 prill, do të shënohet dita ndërkombëtare e autizmit. Me këtë rast, shoqata “Autizmi”, më 2 prill, në sheshin 21, do të mbajë një mbrëmje, ku do të këndojnë: Roderika Ukelli, Korona, Besart Halimi, Ermal Fejzullahu, Flaka Krelani, Teuta Kurti, Mahmut Ferati etj. Bileta do të kushtojë 2 euro, paratë do t’i dhurohen shoqatës “Autizmi”. Njëra nga organizatoret e kësaj mbrëmjeje do të jetë Shpresa Xhakli, e cila njihet në Kosovë si emër që gjithmonë u ndihmon fëmijëve me autizëm. Ajo thotë për gazetën “Kosova Sot” se këtë punë e bën me shumë dashuri dhe thotë se sa të jetë gjallë do t’u përkushtohet maksimalisht familjeve që kanë kushte të rënda, ashtu që t’ua lehtësojë shkollimin e fëmijëve të tyre. Shkas i kësaj bisede me këtë bamirëse është 2 prilli, dita ndërkombëtare e autizmit, ku si në shumë vende të botës edhe Kosova do ta shënojë këtë datë shumë të rëndësishme. “2 prilli është dita ndërkombëtare e autizmit, që për herë të parë është shënuar në vitin 2009, me propozim të ambasadorit të Katarit në OKB. Ka qenë ideja e ambasadorit të Katarit që çdo vit të shënohet kjo ditë nga OKB-ja. Kjo datë, pra 2 prilli shënohet për t’u bërë thirrje të gjithëve që të kujdesemi dhe të bëjmë më shumë për fëmijët me autizëm. Prandaj, edhe ne në Kosovë punojmë që ta rrisim vetëdijesimin e njerëzve, që këta fëmijë janë ardhmëria e Kosovës dhe në qoftë se ne nuk kujdesemi për ta nuk kemi ku shkojmë”, thotë Xhakli, e cila me profesion është mjeke dhe me vite të tëra është duke jetuar në SHBA.

E zhgënjyer në administratën e Qeverisë

Shpresa Xhakli, përpos që është humaniste e njohur, ajo mbi të gjithë është një nënë e kujdesshme që bën gjithçka për fëmijët e saj. Ajo punën e humanistes e ka nisur edhe nga përvoja e saj personale. Xhakli ka një djalë të moshës 24-vjeçare, i cili është autik. Ndonëse është rritur në një vend ku kujdesi për këta njerëz është i veçantë, sidomos i shtetit, Shpresa Xhakli nuk është ndalur vetëm te djali i saj, ajo ka marrë mundin që të vijë nga SHBA këtu për t’i ndihmuar fëmijët tjerë në Kosovë. “Ne si shoqatë po hasim në vështirësi, në momente jo të mira dhe unë si nënë që kam fëmijë me autizëm, i cili është 24-vjeçar e di se çka është të kesh fëmijë autik, prandaj jam duke punuar shumë që me aq sa mundem t’i ndihmoj fëmijët e Kosovës. Autizmi sot është bërë shumë i përhapur dhe unë si një nënë që jetoj në SHBA, shpesh vij në Kosovë që përvojën time t’ua jap njerëzve që kanë nevojë në Kosovë, po ashtu edhe ndihma të tjera. Mirëpo, po hasim në shumë vështirësi. Ja shembull një rast, desha një poster për organizmin që jemi duke bërë, ta vendosë në Kryeministri, me qëllim që kush të hyjë e të dalë ta shohë se po mbahet një aktivitet për fëmijët me autizëm dhe mund të japë çdo kush ndihmën e vet, por nuk më lanë, me një arrogancë të paparë rojet na thanë se këtu nuk bën ta vëmë. E kam një pyetje për gjithë. Nëse kështu nisim si Kryeministria, atëherë këta fëmijë nga kush duhet të presin ndihmë? Ne jemi shoqatë humanitare, jo përfituese, prandaj të gjithë duhet të marrin pjesë pa asnjë dallim, sepse bëhet fjalë për fëmijë të veçantë që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmën e shtetit”, tha ajo e indinjuar për sjelljet e punëtorëve të Kryeministrisë.

Shteti, shumë pak bën për fëmijët autikë

Xhakli tha se i them dhemb shumë shpirti kur ndahen gjërat në këtë mënyrë. “Unë nuk kam asnjë interes financiar, thjesht mundohem t’i jap Kosovës, po e bëjë për fëmijët me autizëm dhe më thonë mos e lerë posterin te dera e Kryeministirsë, kjo gjë mua më duket poshtërsi dhe cenim i të drejtave, sepse ato zyre duhet të jenë në shërbim të popullit, edhe të atyre fëmijëve. Fëmijët kanë të drejtë shkollimi në Kosovë, të drejtë për të kërkuar një jetë më të mirë. Ky shtet atëherë për kë është krijuar”, pyet Xhakli me të drejtë. 
Duket se fëmijët me autizëm në Kosovë fare pak ndihmohen nga shteti, kryesisht shoqata “Autizëm”, ndihmohet nga sponsorët privatë. “Kryesisht shoqatën e “Autizmit”, e ndihmojnë sponsorët, kurse nga shteti kemi vetëm përkrahje. Ne më 2 prill do të organizojmë një koncert, ku hyrja do të jetë 2 euro dhe mund ta merrni me mend se çfarë shume është ajo dhe sa mund të na ndihmojë, mirëpo ne e kemi organizuar që njerëzit të shohin dhe mësojnë se çka është autizmi dhe çka mund të japin dhe të shohin nga afër se këta fëmijë kanë nevojë për mbështetje, sepse deri tash ndihma na japin firmat”, tha Xhakli.

Numri i fëmijëve me autizëm po rritet

Xhakli thotë se në qendrën për fëmijët me autizëm bëhet punë e madhe dhe njerëzit së paku nga një rrogë të vogël e meritojnë. “Në Qendrat tona ka shumë aktivitete, kemi psikologë, fizoterapeutë, që merren çdo ditë me fëmijët dhe normalisht duhet t’ua japim nga një rrogë të vogël, sepse MASHT nuk ka ndarë buxhet për këtë kategori, prandaj ne ecim çdo ditë për të mbledhur fonde, ku një pjesë e tyre shkon edhe për rastet sociale dhe i paguajnë shpenzimet që nënat t’i sjellin fëmijët nëpër qendra. Numri i fëmijëve me autizëm po rritet, prandaj qendra e Prishtinës ka marrë përsipër që të zgjerojë aktivitetet edhe jashtë Prishtinës, ku së pari do të hapë një klasë në Pejë, Suharekë, Mitrovicë, Prizren dhe po tentojmë që në çdo vend të kemi së paku nga një shkollë”, nënvizoi ajo duke shtuar se për një fëmijë autik duhet një përkujdesje e veçantë. “Për një fëmijë autik në Kosovë duhet gjithmonë një person që ta marrë e ta dërgojë në shkollë, ku klasat nuk janë adekuate për nevojat dhe kërkesat e këtyre fëmijëve. Në qendër duhet të punojnë shumë, sepse nëse me këtë fëmijë punohet qysh në moshën e hershme, atëherë ata e kanë më lehtë. Duhet kujdes më specifik, sepse autizmi është term i gjerë dhe fëmija me fëmijën dallon, duhet mbikushtim. Kur e bëjë krahasimin me SHBA-në, atëherë gjërat ndryshojnë shumë, atje përkushtimi është shumë më i madh. Djali im në Amerikë shkon në qendrën adulte nga ora 9-15, pastaj ata me minibus e kthejnë në shtëpi. Djali pastaj nga ora 15 në shtëpi ka një program tjetër që duhet ta ndjekë, si t’i rregullojë rrobat e veta dhe gjërat që lidhen me të, pra e aftësojnë deri në atë fazë që ai kryen nevojat e tij. Në Kosovë krahas mungesës së objekteve adekuate, këta fëmijë edhe paragjykohen dhe kjo natyrisht është edhe një sprapsje e prindërve që të thonë se fëmija i tyre është autik dhe të ndjekë programin e veçantë”, tha ajo. / B. ZYBERI

Artikull nga Kosova Sot

Print
Categories: Artikuj
Tags:
Rate this article:
No rating

Dhuro - Donate
OJQ “AUTIZMI”
ProCredit Bank 1181 0017 5000 0110 
(SWIFT: MBKOXKPRXXX)
Rr. Antigona Fazliu Nr. 30, Prishtinë, Kosovë
info@autizmi-ks.org +38344151102 +38345442343