Shpresa amerikane për autizmin në Kosovë

Lajmi.net

Shpresa amerikane për autizmin në Kosovë
Shpresa Xhakli me bashkëshortin Rexhë Xhakli, shqiptaro-amerikanë nga Kosova, organizuan një shitje garazhi për të financuar nevojat e fëmijëve me autizëm në Kosovë.

Vetëdija për çregullimin e autizmit po shtohet dhe gjithashtu po ka më shumë vëmendje për trajtimin e tij.

Por, ende ka mëdyshje për trajtimin e duhur të autizmit, metodën e Analizës së Aplikuar të Sjelljes (ABA), si dhe ka më shumë informata të pasakta se të sakta për trajtimin. Ashtu sikur me problemet e tjera shëndetësore, nuk ka mbështetje të mjaftueshme financiare dhe shpeshherë, prindërit e fëmijëve me autizëm dhe profesionistët e kësaj fushe ndihen të pashpresë.

Megjithatë kur ka njerëz të mirë ka edhe shpresë.

Shpresa Xhakli me bashkëshortin Rexhë Xhakli, shqiptaro-amerikanë nga Kosova, organizuan dje një shitje garazhi ("garage sale" në anglisht) për të financuar nevojat e fëmijëve me autizëm në Kosovë. Kjo është një çështje shumë personale për Shpresën dhe familjen e saj. Zonja Xhakli foli me lajmi.net, për atë që e ka përafruar me këtë kuazë.

"Vetë e kam djalin, 24 vjeçar, Arbenin, edhe kam parë se rruga e edukimit dhe të zhvillimit të tij ishte e kufizuar. Si nënë, si prind, si shqiptare e rritur me vlerat e prindërve të mi, jam edukuar në Kosovë dhe mundohem t'ia kthej asaj. T'i ofrojë diçka nënave, prindërve të fëmijëve të tjerë, që kalojnë nëpër të njëjtën përvojë sikur unë".

Znj. Xhakli, me të ardhurat nga shitja, bashkë me materialet arsimore të mbledhura edhe nga Shoqata Motrat Qiriazi në SHBA, këtë javë do të vijë në Kosovë për të vazhduar mbështetjen për Shoqatën Autizmi.

"Do të nisem të hënën sepse me datën 12 tetor mbahet një mbrëmje për të mbledhur fonde dhe vetëdijësimin për autizmin. Këta fëmijë ekzistojnë, janë edhe do të jenë pjesë e Kosovës tash dhe në të ardhmen dhe ne duhet të përkujdesemi për ta".

"Numri i fëmijëve po rritet. Nevojat po rriten".

Znj. Xhakli po e ndihmon Shoqatën Autizmi që të përgatit hapjen e klasëve për fëmijë me autizëm në shkolla fillore në katër qytete të ndryshme të Kosovës. Shoqata po bën trajnimin për këtë, ndërsa Shpresa po sjell paijsje dhe programe për trajtimin e autizmit.

Shpresa Xhakli jeton në SHBA që nga fundi i viteve të 80'ta. Familja Xhakli është familje sipërmarrëse në SHBA dhe ka vite që Shpresa me bashkëshortin e saj udhëheqin projekte të rëndësishme filantropike në Kosovë.

Shitja garazhi në rezidencën e familjes Xhakli të shtunën në shtetin New Jersey është një ndihmë e drejtëpërdrejtë për Shoqatën Autizmi në Kosovë.

Shoqata e mbështetur nga znj. Xhakli do të mbajë mbrëmje për mbledhjen e fondeve për autizmin kësaj të shtunë, më 12 tetor, në ora 19:00, në Hotel Emerald në Prishtinë.

 

Artikull nga lajmi.net 

Print
Categories: Artikuj
Tags:
Rate this article:
5.0

Dhuro - Donate
OJQ “AUTIZMI”
ProCredit Bank 1181 0017 5000 0110 
(SWIFT: MBKOXKPRXXX)
Rr. Antigona Fazliu Nr. 30, Prishtinë, Kosovë
info@autizmi-ks.org +38344151102 +38345442343