SHPRESA XHAKLI
Dr. Shpresa Xhakli ka lindur në Preshevë dhe është
rritur në Mitrovicë, ku edhe vazhdoi shkollimin e mesëm, ndërsa në Prishtinë përfundoi
studimet në Fakultetin e Mjekësisë.
Pas diplomimit filloi punën në Shtëpinë e Shëndetit dhe spitalin e Mitrovicës. Në vitin 1986, Shpresa u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo u martua me humanistin e shquar Rexhë Xhaklin me të cilin krijuan një familje me dy fëmijë, vajzën Ardianën dhe djalin Arbenin.
Kur Arbeni u diagnostikua me autizëm, ajo i vendosi vetës një qëllim, që të kontribuojë për mirëqenien e të gjithë fëmijëve të prekur me autizëm në Kosovë. Kështu ajo krijoi fondacionin në Kosovë, në ndihmë të fëmijëve autikë.
Shpresa ka qenë udhërrëfyese për shumë prindër të cilët u sfiduan dhe u përballën me vështirësi të shumta në një vend si Kosova, ku njohuritë dhe trajtimi i Çrregullimit të Spektrit të Autizmit ishte i mangët.
Shpresa Xhakli ka një mesazh për të gjithë!
Thuhet, gjeje qëllimin e Jetës sate dhe jetoje atë, por nganjëherë, vetëm pasi te keni jetuar, e kuptoni që jeta juaj kishte një qëllim, që nuk e kisha pasur kurrë në mendje. Autizmi më përzgjodhi mua, si nënën e Arbenit, që të ndihmoj fëmijët tjerë. Rrugëtimi dhe përkushtimi im vazhdon, sepse kam dhanë premtimin Arbenit tim, i cili i thotë vetëm disa fjalë të këngës: please don’t take my sunshine away- mos ma merrni diellin! Së bashku, mos të harrojmë pikën e ekzistencës njerëzore, por të ofrojmë dashuri dhe dinjitet!
Shpresa vazhdon të jetë përkrahja më e madhe e komunitetit të AUTIZMIT në Kosovë.
Faleminderit Shpresa Xhakli!
YLLKA REXHEPI
Yllka Rexhepi është drejtoresha e parë e Shoqatës Autizmi dhe një ndër profesionistet e para që me angazhim dhe përkushtim të vazhdueshëm krijoi qendrën në formën që është sot. Yllka mban titullin Analiste e Certifikuar e Sjelljes dhe është e punësuar në qendrën Beyond Autism në Angli.
Yllka në mënyrë të vazhdueshme ka kontribuar për Shoqatën Autizmi, përmes mbajtjes së trajnimeve të rregullta me stafin e qendrës, organizmin e një vizite studimore për dy profesionistë të Shoqatës në qendrën Beyond Autism, ku patën rastin të marrin një përvojë të mirë në një qendër profesionale ndërkombëtare. Yllka vazhdon të përkrahë Shoqatën duke ofruar pa kursim njohuritë dhe ekspertizën e saj në fushën e autizmit.
Faleminderit Yllka që je në mesin tonë!